Java e 13-të e kampionatit na gjen në sfidën përballë Erzenit, e shtyrë për shkak të ngjarjes tragjike të ndarjes nga jeta të Rafael Duamenës të Egnatias.
Dinamo City e pret plot besim këtë 90-minutësh. Gjendja e skuadrës është mirë fizikisht dhe psikologjikisht. Mungesat e vetme do të jenë ato të Danajt dhe Bardhit.
Trajneri Dritan Mehmeti pret që skuadra të tregojë vlerat e saj më të mira dhe të marrë 3 pikët. “Koha më e gjatë për këtë ndeshje na ka ndihmuar për të përmirësuar gjërat në anën fizike dhe taktike. Gjendja është e mirë dhe na jep shpresë për të bërë një ndeshje të mirë.
Qëllimi është që të marrim pikët maksimale, duke ditur pozicionin ku ndodhemi, por edhe të përmirësohemi në lojë. Sepse po rritëm cilësinë e lojës, do të kemi edhe rezultate.
Erzeni duhet respektuar, pasi është një ekip i fortë, por Dinamo City luan vetëm për fitore”, – ka thënë mes të tjerash në konferencën për shtyp trajneri Mehmeti.
Ndeshja luhet ditën e enjte në stadiumin ‘Niko Dovana’, duke nisur nga ora 17:00.