Para ndeshjes me Laçin, që luhet të shtunën, në orën 13:30, e vlefshme për javën e 24-t të Superiores, trajneri Dritan Mehmeti ka theksuar:
“Laçi është një kundërshtar që e ka treguar me rezultate se po kalon një formë shumë të mirë. Kemi pasur edhe ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me të. E kemi vlerësuar Laçin dhe do të bëjmë maksimumin. Do të ndryshojmë filozofi, duke iu përshtatur kundërshtarit për të kërkuar pikë. Do të jetë e vështirë.
Skuadra ka një grup të mirë. Kemi mungesën e Vilës, që ka pasur një rritje progresive dhe më vejn mirë. Por kemi lojtarë në grup që mund ta zëvendësojnë, mentaliteti jonë është që të bëjmë grupin. Kemi edhe problemin e Andonit që ka pasur shqetësime, por edhe të Qefalisë. Stafi mjekësor po punon që këtij të fundit të mos i bëhet problem kronik, ndaj dhe do të jetë jashtë këtë ndeshje.
Skuadra më pëlqen në aspektin psikologjik. Më pëlqen mënyra si ka reaguar në ndeshjet e fundit. Nuk kemi injektuar presion, por kemi kërkuar që të jepet maksimumi në ndeshjen e radhës. Duhet përqendrimi vetëm aty, sepse ky kampionat nuk të jep mundësi të mendosh shumë gjatë. Me një ose dy fitore ngrihesh lart, me një apo dy humbje shkon në zonën e kuqe.
Më vjen mirë që grupi e ka kuptuar se është çdo gjë e vështirë dhe nuk duhet të kalosh në eufori. Nuk ka shumë diferenca, të gjitha skuadrat nuk kanë stabilitet.
Kemi punuar shumë bashkarisht, kemi analizuar gjithçka me hollësi për mënyrën si i humbisnim ndeshjet. Më shumë për gabime individuale. Kemi pasur oshilacione gjatë dy fazave të para, sidomos kur kemi qenë në avantazh. Kemi rritur besimin te njëri-tjetri dhe kemi shkuar aty ku duhet për sa i përket lojës. Kemi pasur situata të mira edhe më parë, por jemi ndëshkuar, sepse nuk kemi menaxhuar mirë 90 minutat. Në ndeshjen e fundit reaguam mirë dhe kjo është meritë e lojtarëve.
Një barazim në Laç? Duhet të presim 90 minutat, të shohim si do të interpretohet nga skuadra kjo ndeshje. Do të hyjmë në fushë vetëm për fitore”.