Trajneri Ilir Daja ka folur para ndeshjes që Dinamo City luan të mërkurën në Korçë ndaj Skënderbeut, e vlefshme për çerekfinalet e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Mes të tjerash ai theksoi:
“Kupa ka një specifikë, ku gjithçka vendoset jo pas 90 minutash, por pas 180 minutash, apo edhe më shumë. Do të jetë e vështirë, pas atij rezultati jo të mirë në ndeshjen e parë. Nganjëherë e vështira është më e bukur, kur arrihet.
Shkojmë në Korçë duke e vlerësuar Skënderbeun në maksimum, por ne do të luajmë gjithçka për gjithçka. Besoj që mund të kemi pak ndryshime, pasi ka ngjeshje të madhe të ndeshjeve mes kampionatit dhe Kupës.
Dinamos i duhet një marsh më shumë në këtë ndeshje, por duke ruajtur ekuilibrin në fushë. Nëse bëjmë dalje në sulm pa këtë ekuilibër, e vështirësojmë gjithçka për më tej. Të dy ekipet vijnë nga fitoret, por kampionati nuk ka lidhje me Kupën.
Në Kupë ndodh gjithçka, shpresojmë të shkojmë drejt shtesës, sepse do të jetë një bonus për ne edhe nga ana psikologjike, nëse do ta përmbysim atë rezultat të ndeshjes së parë”.
Ndeshja e parë e zhvilluar në Elbasan ka përfunduar me rezultatin 0-2 në favor të Skënderbeut.