October 14, 2025

Trajneri Daja flet pas fitores së fundit

Trajneri Ilir Daja, pas fitores së fundit ndaj Flamurtarit, u shpreh:

“Sigurisht që është java e gjashtë dhe nuk mund të themi kemi ritmin maksimal. Mungesa e Guindos nuk ishte problemi i vetëm, por edhe Hekuran Berisha dhe Farruku duan kohën e tyre. Guindo, me eksperiencën që ka, është pikë reference. Ne presim edhe nga qendërsulmuesit e tjerë, Berisha dhe Farruku. Janë lojtarë që e njohin portën, por duan kohën e duhur për t’u përshtatur edhe për t’iu përgjigjur manovrës sonë.

Jemi më të qetë tani, kemi pasur gjithë kontingjentin në dispozicion. Flamurtari ishte i detyruar të japë maksimumin për pozicionin që ka, që nuk e meriton. Luanin gjithçka për gjithçka. Kaluan me 4 sulmues kur ishin në disavantazh.

Meritë e jona nuk ishte vetëm shënimi i golave, prapë patëm problem me rastet, por që mbajtëm ekuilibër mbrapa dhe i lamë pak mundësi kundërshtarit për të na goditur me kundërsulm, apo qoftë me goditje standarde.

Sigurisht që ishim të kujdesshëm. Në pushim të ndeshjes u kam thënë lojtarëve, në një element të mbrojtjes, që nuk po e përsëris kush, sot ishim në një nivel tjetër në raport me pesë javë të tjera.
Rastet e humbura? Edhe nga dëshira për të shkuar sa më shpejt te goli i dytë, edhe nga nxitimi, po të llogarisësh rastin e Qefalisë, i cili është shumë altruist. Aty nëse do të ishte pak më i qetë, mund të shkonte drejt zgjidhjes.

Ajo që duhet të bënim, kishim një tjetër konfiguracion dhe e kishim punuar në stërvitje, por nuk e realizuam dot sot për të shmangur presingun ultraofensiv të Flamurtarit me 6 veta sipër. Duhet të kishim gjetur korridoret e duhura për të djegur këtë numër lojtarësh qoftë edhe me një pasim të vetëm.

Duhet ngritur zëri. Po e ngrita shumë, do dalin portalet; tension te Dinamo, përleshje. Shyqyr Zotit që kemi 1 vit dhe drejtoj 30 futbollistë dhe nuk ka ndodhur as incidenti më i vogël. Është një grup djemsh shumë të mirë, sepse kohezionin e kanë ngritur vetë dhe e ruajnë me fanatizëm.

Vila në dy ndeshjet e fundit ka qenë nga lojtarët më të mirë. Sot Vila ishte ai që duhet t’i ngrihet më shumë zëri , sepse kishte 2-3 situata që mund të shërbente shumë mirë për të tjerët. Në këtë rast ngritja e zërit do jetë prezente në analizë. Në superioritet numerik 3 me 2 duhet të jemi më shumë altruist.

Kartonët e kuq? Rasti ndoshta i Gudiabit që mori kartonin e verdhë është pakujdesi, prandaj doli nga loja. Jo për t’u justifikuar, por mendoj, me sa e njoh unë rregulloren, sigurisht që goditi portierin, por ishte i painteresuar për diçka të tillë, sepse ishte me kurriz. Ishte e paqëllimshme, nuk e shihte fare portierin. Nuk kam çfarë t’i them. Një ndërhyrje e pandërgjegjshme dhe e pavetdijshme. Do të ndaloj më shumë te e verdha e Gudiabit se e kuqja e Farrukut. Në këtë rast Farruku duhet të ishte më i kujdesshëm, por nuk kishte qëllim të godiste portierin”.

Related Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *