Në prag të ndeshjes kundër Flamurtarit ka folur mbrojtësi Naser Aliji. Mes të tjerash ai ka theksuar:
“Gjendja e ekipit është e mirë. Këtë herë nuk kemi mungesa, jemi të plotë dhe kjo është diçka e rëndësishme para një ndeshjeje si kjo me Flamurtarin. Kur vjen pas një fitoreje sigurisht që atmosfera është më e mirë, por te Dinamo gjithnjë atmosfera ka qenë e mirë, nuk ka ndryshuar shumë në këtë aspekt.
Flamurtari ka lojtarë të mirë, por mendoj se i duhet kohë. Ne jemi bashkë që sezonin e kaluar dhe besoj se jemi ekip më i mirë se ata. Do të kërkojmë vetëm fitoren ndaj Flamurtarit. Dinamo në çdo ndeshje hyn në fushë vetëm për tri pikët.
Kombëtarja? Është krenari për çdo futbollist të jetë pjesë e saj. Unë e di rolin tim në Kombëtare, jam mbrojtës i majtë, në qendër ka lojtarë të tjerë. Nëse do të jetë nevoja jam gati gjithmonë”.