November 23, 2026

Dinamo mundet minimalisht nga Elbasani

Dinamo u mund me rezultatin 1-0 nga Elbasani në takimin e javës së 12-të të Abissnet Superiore, të luajtur të premten në mbrëmje në “Elbasan Arena”. Pavarësisht rasteve të shumta të krijuara, veçanërisht në pjesën e parë, blutë nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës.

Skuadra e trajnerit Ilir Daja e nisi sfidën duke marrë menjëherë kontrollin e lojës dhe duke ushtruar presion në portën kundërshtare. Në minutën e pestë, Ruçi provoi me një goditje në hyrje të zonës, por Aleksovski grushtoi topin dhe më pas ndali edhe tentativën me kokë të mesfushorit dinamovit.Në minutën e 13-të, Lorran ndërmori një aksion të shpejtë nga e majta, por pasimi i tij drejt qendrës u devijua në këndore nga mbrojtja vendase. Dy minuta më vonë, Vila depërtoi në zonë, kaloi kundërshtarët dhe goditi drejt portës, por Aleksovski ndërhyri me këmbë, duke i mohuar golin.

Një tjetër mundësi e mirë për Dinamon erdhi në minutën e 34-t, kur goditja e Farrukut brenda zonës u ndal nga Aliji dhe përfundoi jashtë vijës fundore. Pavarësisht epërsisë në lojë dhe rasteve të krijuara, pjesa e parë u mbyll pa gola.

Fraksioni i dytë nisi me dy zëvendësime në radhët e bluve: Malomo dhe Nani morën vendet e Qefalisë dhe Skënder Metës. Dinamo lëshoi terren, ndërsa vendasit nisën të shfaqeshin më kërcënues pranë portës së Teqjes.Në minutën e 56-të, Mustapha zëvendësoi Ruçin, ndërsa në të 72-tën, Hekuran Berisha mori vendin e Farrukut. Një minutë më pas, Teqja reagoi shkëlqyeshëm ndaj goditjes së Nikajt, duke ruajtur barazimin.

Në minutën e 80-të, Dinamo pati një mundësi të artë për të kaluar në avantazh. Berisha u shfaq i vetëm përballë portierit, por goditja e tij përfundoi jashtë. Katër minuta më vonë, Elbasani shënoi golin që vendosi takimin. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën përfundimtare.

Formacioni titullar i Dinamos: Teqja, Ismaili, Dita, Aliji, Lorran, Qefalija, Manellari, Ruçi, Vila, Meta dhe Farruku.

Dinamo do të rikthehet në fushë të premten e ardhshme për derbin ndaj Partizanit, që do të zhvillohet në “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 18:30.

Related Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *