November 26, 2026

Kalari: Të jemi më cinikë përpara portës

Dinamo do të përballet nesër me Partizanin në derbin që do të zhvillohet në “Elbasan Arena”, në orën 18:30. Në prag të kësaj sfide, zëvendëstrajneri i bluve, Renaldo Kalari, foli për përgatitjet e skuadrës, pritshmëritë për takimin dhe nevojën për të shfrytëzuar më mirë rastet përpara portës.

Kalari e cilësoi derbin një përballje të hapur dhe të paparashikueshme, ndërsa theksoi se Dinamo do të zbresë në fushë me synimin për të marrë tri pikët.“Ndeshjet derbi i kanë të tria rezultatet brenda. Janë përballje të paparashikueshme, që dhurojnë futboll të bukur. E kemi analizuar kundërshtarin dhe, pa diskutim, do të hyjmë në fushë për ta fituar këtë përballje, sepse derbet luhen për t’u fituar”, u shpreh ai.

Duke u ndalur te përgatitjet, zëvendëstrajneri dinamovit vlerësoi punën e zhvilluar gjatë javës, me vëmendje të veçantë te korrigjimi i disa situatave në lojën e skuadrës.“Java stërvitore ka qenë e qetë dhe pozitive. Kemi punuar në aspektin taktik, si në fushë, ashtu edhe përmes analizave me video, për të përmirësuar ato dy-tri situata që kemi nevojë të korrigjojmë”, tha Kalari.Sipas tij, paraqitjet e Dinamos në ndeshjet e fundit kanë merituar më shumë në aspektin e rezultateve.

Kalari theksoi se skuadra duhet të tregojë më shumë efikasitet në finalizim, për ta përkthyer lojën e prodhuar në gola dhe pikë.“Jemi gati të japim maksimumin dhe të marrim më të mirën, ashtu si në çdo ndeshje. Në përballjet e fundit, fati nuk na ka buzëqeshur, por kemi pasur edhe mangësi në finalizim, të cilat i kemi diskutuar me lojtarët. Këto kanë ndikuar që të mos arrijmë rezultatet që kemi dëshiruar dhe që, duke parë lojën e zhvilluar, kemi merituar. Duhet thënë se, në tërësinë e 90 minutave, kemi qenë dominues ndaj të gjithë kundërshtarëve”, deklaroi ai.

Në mbyllje, Kalari shprehu besimin se në derbi skuadra do të arrijë t’i shfrytëzojë mundësitë e krijuara.“Shpresoj që në këtë ndeshje të kemi edhe fatin në anën tonë, por mbi të gjitha duhet të tregohemi më cinikë përpara portës dhe t’i shndërrojmë në gola rastet që krijojmë”, përfundoi zëvendëstrajneri i Dinamos.

Related Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *