November 22, 2024

Trajneri Mehmeti flet para Laçit

Dinamo City luan të dielën ndeshjen e radhës me Laçin në kampionat. Para kësaj sfide trajneri Dritan Mehmeti ka dalë në konferencë shtypi, ku ka theksuar se duhet përqendrim maksimal për të marrë 3 pikët.

Fjala e plotë e trajnerit Mehmeti:
“Kemi pasur disa probleme me dëmtimet para kësaj ndeshjeje. Kemi probleme me Mesën, Vokrrin, Mijën dhe Danajn që dihet. Na shqetësojnë këto dëmtime, por është e pashmangshme kjo gjë në futboll. Është e paparashikueshme. Kemi dhe Zabërgjën, që nuk është stërvitur me grupin dhe do të marrim një vendim final për të.

Rezultatet pozitive radhazi na japin një bonus emocional dhe entuziazëm. Është faktor plus, por duhet të jemi të përqendruar, me këmbë në tokë. Vetë renditja dhe ndeshjet janë në kohë të shkurtër dhe nuk na lejojnë të gabojmë. Çdo ndeshje ka historinë e vet dhe patjetër duhet vlerësuar si duhet.

Laçi ka një ndërthurje shumë të mirë të elementit të ri. Ka një skuadër që e interpreton futbollin shumë mirë. Janë agresivë në mbrojtje dhe teknikë në sulm. Duhet t’i përgjigjemi si duhet për të dalë fitimtarë.

Është e rëndësishme të shkojmë te goli, jam i kënaqur me mënyrën si shkojmë te zona kundërshtare. Kemi pasur situata të mira që mund t’i zgjidhnim më mirë. Nuk e quaj ngërç, por duhet të përmirësojmë shënjestrën dhe të kemi qetësinë e nevojshme. Përqendrimi bën diferencën në linjën e parë të sulmit, por edhe të dytën.

Një nga pikat e referimit kur mora skuadrën ishte të rregulloja fazën defensive. Tani jemi përmirësuar, kemi pasur ekuilibër. Jemi përmirësuar edhe në lojën sulmuese, duke shkuar te zona kundërshtare. Që të jesh fitimtar duhet të jesh gjithmonë më kërkues. Dua të jemi më fanatikë dhe racionalë në ato momente që na paraqiten në sulm”.

Related Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *