Dinamo City luan të hënën ndeshjen e radhës me Teutën në stadiumin “Niko Dovana”, e vlefshme për javën e fundit të fazës së tretë. Para kësaj sfide, trajneri Dritan Mehmeti u shpreh:
“Kjo javë pak më e gjatë stërvitore na ka ndihmuar, sepse edhe ndeshjet kanë qenë shumë afër. Vinim pas ndeshjeve me Vllazninë dhe Egnatian dhe skuadra është përgatitur mirë. Kemi probleme me Gudiabin, që nuk do të jetë ndaj Teutës dhe shpresojmë të rikthehet sa më shpejt. Pjesa tjetër është stërvitur normalisht.
Teuta po kalon një moment shumë të mirë. Të gjitha skuadrat kanë oshilacione, kanë edhe kurbën e mirë, siç po e kalon Teuta tani. Edhe ne jemi në një moment të mirë, edhe pse nuk kemi marrë pikë. Për lojën kemi qenë goxha mirë, por në këtë pikë që ka ardhur kampionati mendoj se kemi nevojë më shumë për pikët.
Për ndeshjen e radhës duhet të shohim aspektin psikologjik, skuadra që do të jetë më e përgatitur në këtë aspekt, do të jetë më afër fitores. Kampionati sa vjen dhe bëhet më i vështirë dhe një nga komponentët kryesorë është se si ti menaxhon një 90-minutësh në aspektin psikologjik.
Mënyra si ne e përgatisim ndeshjen ka të bëjë me faktin që skuadra të jetë e motivuar gjithmonë, jo vetëm kundër Teutës, por ndaj çdo kundërshtari. Nuk mendojmë shumë gjatë dhe duhet patjetër të jemi konçizë dhe të përqendruar, pa menduar për renditjen.
Futbolli sjell situata të ndryshme dhe kur ndërton një skuadër të re dhe vjen nga një kategori më poshtë, me shumë ndryshime, duhet kohë që të arrihet në automatizimin e veprimeve, që të mos kesh oshilacione gjatë ndeshjes. Ne jemi munduar të punojmë në aspektin psikologjik për objektivin dhe mënyrën si duhet ta arrijmë atë.
Stoli? Dinamo i ka të gjithë komponentët, është e mirëpaguar. Ka dy skuadra dhe kjo na gëzon, kemi lojatrë që e meritojnë dhe dinë të bëjnë mirë sa herë që ata thirren. Kjo është një vlerë e shtuar, është meritë e tyre që të besojnë te stafi dhe grupi. Ka një marrëdhënie shumë të mirë mes lojtarëve dhe kjo quhet profesionalizëm.
Pranojnë stolin dhe kur thirren të luajnë, kanë dhënë maksimumin gjithmonë. Rotacionin e mendoj, por skuadra nuk ka treguar lodhje, kemi qenë mirë edhe fizikisht. Janë zgjedhje teknike sa i takon edhe kundërshtari, sepse nuk mund të luash njësoj ndaj çdo kundërshtari”.