March 13, 2025

Trajneri Daja flet para Laçit

Dinamo City luan të premten, në orën 15:00, ndeshjen e javës së 26-të të kampionatit kundër Laçit. Përpara sfidës që zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” trajneri Ilir Daja ka theksuar:

“Ka ardhur koha që të kthehemi te fitorja. Jam një trajner që dua t’i shoh gjërat me optimizëm. Nuk kemi bërë mirë javët e fundit për shkak të disa elementëve që janë bërë publike tashmë. Por jemi në vend të tretë dhe me rikthimin e lojtarëve të dëmtuar situata është më e mirë. Kjo duket edhe në stërvitje.

Plotësimi i grupit ka ndikimin e vet, sepse secili lojtar jep maksimumin për të pasur pozicionin e vet si startues, apo edhe të jetë afër lojës. Lojtarët e rikthyer nuk janë në 100% të tyre, por jemi më mirë se një javë më parë.

Laçi ka bërë shumë mirë, sidomos në 2025-ën, ka disa fitore dhe një humbje. Ka një manovër të konsoliduar në të dyja fazat e lojës dhe kjo është edhe meritë e stafit teknik të Laçit. Është kundërshtar i vështirë, sepse punojnë të 11 lojtarët në fazën e mbrojtjes dhe të sulmit. Ka edhe pika jo të forta, si çdo skuadër.

Ne kemi një kontigjent të gatshëm që të përballemi me çdo ekip, pavarësisht rezultateve të fundit. Do të jetë e vështirë taktikisht, por do të futemi në fushë me idenë për të shkuar drejt fitores, sepse ky rezultat do të na bënte punë për vazhdimësinë”.

Në këtë ndeshje mungon për arsye kartonësh Gasama Karamba. Dinamo City mban vendin e 3-të, me 41 pikë.

Related Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *