Është Vllaznia pengesa e parë e Dinamo City në garën për titullin kampion të “Final 4”. Shorti i hedhur sot në “Shtëpinë e Futbollit” e vuri skuadrën tonë përballë shkodranëve në gjysmëfinalen që do të zhvillohet më 4 maj, në stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet.
Pas shortit foli drejtori i klubit, Ermal Barushi, i cili u shpreh: “Është një short i mirë, kemi bërë ndeshje të mira me Vllazninë gjatë kampionatit. Shpresoj t’ia dalim. Kemi bërë një edicion të mirë deri tani, jemi pjesëmarrës në Kupat e Europës pas shumë vitesh dhe duam të fitojmë edhe titullin kampion”.

Gjatë këtij sezoni Dinamo City dhe Vllaznia janë ndeshur 6 herë mes tyre, 4 herë në kampionat dhe 2 herë në Kupën e Shqipërisë. Skuadra jonë ka regjistruar 3 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje. Për të shkuar ne finalen e titullit bën punë vetëm fitorja.
Vëmendja aktualisht është e gjitha te finalja e Kupës së Shqipërisë kundër Egnatias, që do të zhvillohet më 1 maj, ora 18:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.