September 19, 2024

Prezantohet zyrtarisht trajneri Daja

Ilir Daja është prezantuar sot zyrtarisht si trajner i Dinamo City. Ai ka marrë drejtimin e skuadrës sonë dhe do të debutojë në derbin me Partizanin.

Gjatë prezantimit të tij në krye të Dinamo City, trajneri Ilir Daja ka theksuar: “Nuk kam nevojë për prezantim, sepse jam i shtëpisë te Dinamo. Pavarësisht kohës së gjatë, janë emocione si më parë. Falënderoj presidentin për ofertën e rikthimit në shtëpi dhe për investimet që ka bërë te ky kompleks.
Tani fillon një cikël i ri te Dinamo. Gjithmonë atje ku shkon ka vështirësi dhe përshtatja do të bëhet gradualisht. Përveç përshtatjes, duhet të marrim edhe pikët, sepse ato nuk kthehen më.

Dinamon e gjej me një kompleks goxha të mirë dhe u takojnë meritat atyre që e kanë rikthyer, presidentit Bardhi. Përveç investimit për ta kthyer në Superiore, ai ka investuar edhe për shtëpinë e Dinamos. Edhe sot është një kantier ndërtimi, punohet për ekipin e parë dhe akademinë. E gjej Dinamon në Superiore, ku e ka vendin si ekipi i dytë më i titulluar në vend.

Me Partizanin na pret një ndeshje e vështirë. Partizani ka ruajtur boshtin, edhe pse ka pasur largime. Disa lojtarë i kam pasur nën drejtim dhe kanë aftësi individuale të bëjnë dëm në çdo moment. Kjo gjë e rrit shkallën e vështirësisë. Duhet të jemi të përqendruar në maksimum. Duhet të jemi pragmatistë, nuk duhet të dalim pa pikë nga kjo ndeshje, por verdiktin e jep fusha.

Klube si Dinamo, Tirana apo Partizani gjithmonë nisen me objektiva maksimalë. Nuk jam nga ata trajnerë që fluturojnë. Jam me këmbë në tokë. Hapi i parë është që të kthejmë vazhdimësinë dhe kjo bëhet duke prodhuar një lojë të mirë, që do të jetë garant për rezultatet më tej.

Do të kemi oshilacione, ajo që do të na bëjë të kemi rezultatet në vazhdimësi është puna e përbashkët e gjithë faktorëve. Do të bëhet hap pas hapi, por edhe pikët duhet të merren.

Me politikat e klubit, që i bën presidenti, duhet të krijojmë një grup sa më të stabilizuar. Për këtë ka nisur bashkëpunimi që të afrojmë lojtarë me kontrata afatgjata. Është edhe investimi që po bëhet tek akademia, që Dinamo të mos ketë një rezultat momental. Kur ke shtëpinë tënde dhe lojtarët që i rrit vetë, ke garanci për të ardhmen.

Nuk kam ardhur te Dinamo pa e njohur skuadrën. Merkaton nuk e bën një trajner, sepse trajnerët shpesh lëvizin. Merkatoja bëhet nga një grup pune brenda klubit.

Hapi i parë është të stabilizohemi në tabelën e renditjes dhe në prezantime në lojëra. Kanë ardhur lojtarë që kanë secili cilësi individuale. Eksperienca e atyre që kemi marrë, që nga Aliji, Toli e të tjerë, mund të na ndihmojnë.

Dinamo ka tifozë dhe doja t’u bëja një mesazh që të afrohen. Bashkë të gjejmë rrugën e duhur sa më shpejt të jetë e mundur. Me mbështetje më të madhe edhe lojtarët motivohen më shumë. Hajdeni dhe gëzoni dhe vuani bashkë me ne, derisa të bëjmë diçka të bukur”.

Related Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *