Dinamo City luan nesër derbin me Partizanin, i vlefshëm për javën e 13-të të kampionatit. Ndeshja luhet në “Elbasan Arena”, në orën 17:00. Para kësaj sfide ka folur trajneri Ilir Daja, i cili mes të tjerash ka theksuar:
“Çdo fitore vlen tri pikë, por kur shoqërohet me një lojë të mirë dhe gola krijon një atmosferë tjetër. Ne si Dinamo duhet të tregojmë mentalitet fituesi. Duhet të performojmë në të njëjtën formë dhe të marrim rezultate si deri tani.
Pikët janë rikuperuar, por të gjithë jemi ulur me ‘këmbë në tokë’, sepse e dimë shumë mirë që ndeshja me Elbasanin është arkivuar. Futbolli është një shfaqje e përjavshme. Aktorët kryesorë janë futbollistët, ata në disa ndeshje nuk janë dorëzuar. Merita është e tyre, pastaj për ne si staf, sepse jemi suport për të gjithë lojtarët, që të shfaqin jo vetëm vlerat e tyre individuale, por t’i shkrijnë ato me grupin.
Është një ndeshje e veçantë, që duhet fituar. Shumica e derbeve nuk është se kanë prodhuar spektakël, janë fituar me episode. Partizani ka një ekip që sulmon në pjesën më të madhe, ashtu si ne, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm në mbrojtje. Kundërshtari ka lojtarë të shpejtë dhe me rendiment të mirë. Ne vazhdojmë të instalojmë lojën që kemi bërë kohët e fundit. Kush do të gabojë më pak, do të shkojë te fitorja.
Me atë që është bërë, jam shumë i kënaqur. Ekipi ka pasur ripozicionim goxha të mirë në tabelë nga momenti kur mora drejtimin. Po stabilizojmë pak a shumë 11-shen dhe kemi 6 ose më shumë lojtarë të gatshëm që në çdo moment të ndërhyjnë.
Dua të them se është një investim i presidentit Bardhi në gjithë kompleksin. Dhe është një investim i duruar, sepse ka disa vite për të bërë një Dinamo që sot i plotëson të gjitha kushtet për të qenë ekip konkurrues. Nuk na mungon asgjë. Këto 9 javë kemi bërë mirë, sepse kemi gjetur mirë.
Trajnerët nuk kanë edhe aq shumë rol në derbi. Në derbi ata më shumë kanë pjesën e menaxhimit të anës psikologjike, sepse ndonjëherë përgjegjësia e ndeshjes kalon mbi nivelin optimal dhe kjo nuk është gjë e mirë. Derbin e fitojnë lojtarët, apo ekipet, duke vënë logjikën e lojës në fushë dhe duke ruajtur ekuilibrat.
Fusha e Elbasanit është nga më të mirat në Shqipëri për cilësi dhe komoditetit që të ofron. Do të kishim qejf të luanim në Tiranë, sepse tifozët do ta kishin distancën më të shkurtër, por edhe Elbasani është një fushë që të jep mundësinë të shprehesh maksimalisht. Shpresojmë që të vazhdojmë me fitore në derbi për të vazhduar rrugëtimin drejt objektivave që ka klubi”.
Skuadra jonë mban vendin e 3-të aktualisht, në kuotën e 20 pikëve, vetëm 1 pikë pas kreut.