Prej datës 2 qershor, Dinamo City ka nisur përgatitjet për një përfaqësim sa më dinjitoz në kompeticionet europiane dhe për sezonin e ri. Skuadra po stërvitet në selinë e saj në Arbanë, ndërsa më datë 9 qershor do të zhvendoset drejt Ohrit për vazhdimin e fazës përgatitore.
Trajneri Ilir Daja ka pasur në dispozicion gjithë grupin e lojtarëve që mbyllën sezonin e fundit. Mungojnë aktualisht mbrojtësi Naser Aliji, i grumbulluar me Kombëtaren shqiptare, dhe sulmuesi Baton Zabërgja, i grumbulluar me Kosovën.

Me ekipin janë bashkuar edhe dy blerje të reja, mbrojtësi Ysni Ismaili dhe sulmuesi Florenc Farruku, ndërkohë që merkatoja blu vazhdon.
Më datë 17 qershor do të mësohet edhe kundërshtari i Dinamo City në Ligën e Konferencës, pas hedhjes së shortit në Nion.