October 10, 2026

Java e 6-të / Ilir Daja flet në prag të sfidës me Vllazninë

Kampionati rikthehet këtë të diel, pas një ndërprerjeje trejavore për shkak të angazhimeve të ekipeve kombëtare. Dinamo është gati për të rinisur garën në Abissnet Superiore, me Blutë që do të përballen me Vllazninë në stadiumin “Loro Boriçi”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 6-të të kampionatit.

Gjatë kësaj periudhe, skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja ka vijuar përgatitjet, duke zhvilluar edhe dy ndeshje miqësore për të ruajtur ritmin e lojës dhe gjendjen konkurruese të grupit. Njëkohësisht, stafi teknik ka shfrytëzuar pauzën për rikuperimin fizik të futbollistëve dhe rikthimin gradual të lojtarëve të dëmtuar.

Në mesin e javës, grupi është plotësuar edhe me rikthimin e Naser Alijit, Klevi Qefalisë dhe Hekuran Berishës, të cilët ishin të angazhuar me Kombëtaren shqiptare dhe Përfaqësuesen U-21 të Kosovës në ndeshjet kualifikuese. Përgatitjet e ditëve të fundit janë fokusuar te përballja me Vllazninë, që do të zhvillohet të dielën, në orën 18:30, në stadiumin “Loro Boriçi”.

Në prag të kësaj sfide, trajneri Ilir Daja ka folur për faqen zyrtare të klubit, duke analizuar periudhën e ndërprerjes së kampionatit, gjendjen e skuadrës dhe pritshmëritë për transfertën në Shkodër.

Ndërprerja e kampionatit

“Ndërprerja e kampionatit ka dy anë të medaljes. Ishim në një moment të mirë, ku kishim arritur disa rezultate pozitive dhe skuadra po performonte mirë. Përtej kësaj, e kishim të nevojshme këtë ndërprerje për rikuperimin e energjive, pasi edhe gjatë periudhës së verës kemi pasur një ngarkesë të madhe për shkak të angazhimit në kualifikueset e Conference League.

Gjatë kësaj periudhe nuk e kemi pasur grupin e plotë, pasi Qefalija, Aliji dhe Berisha kanë qenë të angazhuar me ekipet kombëtare, ndërkohë që disa lojtarë të tjerë kanë pasur probleme me dëmtimet.”

Përballja me Vllazninë

“Kampionati rifillon dhe, pavarësisht se na pret një ndeshje e vështirë me Vllazninë, ne duhet të vazhdojmë në rrugën tonë. Them se do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse nuk duhet ta gjykojmë Vllazninë nga renditja aktuale. Është një skuadër që nuk e meriton atë pozicion, pasi ka zhvilluar ndeshje të mira.

E them këtë sepse, gjatë analizave me stafin, kam ndjekur pothuajse të gjitha ndeshjet e tyre, duke qenë se shkodranët janë përballur me kundërshtarët tanë një javë përpara nesh.”

Çfarë kërkohet nga skuadra

“Ne duhet të jemi maksimalisht të përqendruar dhe të japim 100% në fushën e lojës. Në Shkodër, ndaj Vllaznisë, kemi zhvilluar gjithmonë ndeshje të bukura, ku nuk ka munguar spektakli. Megjithatë, duhet të tregohemi pragmatistë, sepse na pret një transfertë e vështirë.”

Mungesat në skuadër

“Kemi disa mungesa dhe më e rëndësishmja është ajo e kapitenit Bruno Dita, pasi dihet vlera e Brunos për skuadrën. Pavarësisht mungesave, do të përpiqemi të gjejmë zgjidhjet më të mira me lojtarët që do të zbresin në fushë, duke qenë se këtë sezon kemi një grup më të zgjeruar.”

Related Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *