Dinamo do të rikthehet nesër në fushën e lojës për të zhvilluar ndeshjen e javës së 8-të të kampionatit “Abissnet Superiore”. Blutë e kryeqytetit do të presin në “Elbasan Arena” Egnatian, kampionen në fuqi të Shqipërisë, në një përballje të rëndësishme mes dy skuadrave që synojnë pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit.
Në prag të kësaj sfide, trajneri i Dinamos, Ilir Daja, ka folur për faqen zyrtare të klubit, duke analizuar kundërshtarin, vështirësinë e përballjes dhe objektivin e skuadrës së tij për të marrë maksimumin.
Tekniku dinamovit theksoi se shtatë javët e para të kampionatit kanë dëshmuar se çdo përballje ka vështirësitë e saj, ndërsa vlerësoi Egnatian për rezultatet dhe paraqitjet pozitive, si në kampionat, ashtu edhe në arenën europiane.
“Duke parë ecurinë e skuadrave në kampionat dhe rezultatet e shtatë javëve të zhvilluara deri më tani, kemi kuptuar se nuk ka ndeshje të lehta. Aq më tepër kur përballë kemi kampionen në fuqi të Shqipërisë, një skuadër që po bën mirë edhe në Europë.
Na pret një përballje me një rival të drejtpërdrejtë për pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit. Egnatia vjen në një moment të mirë psikologjik, pas rezultateve pozitive dhe paraqitjeve të rëndësishme në Conference League. Megjithatë, nesër, ashtu si në çdo ndeshje tjetër, ne do të zbresim në fushën e lojës me objektivin për të marrë maksimumin”, u shpreh Daja.
Duke u ndalur te ajo që kërkon nga skuadra në këtë përballje, trajneri i bluve nënvizoi rëndësinë e përkushtimit, sakrificës dhe angazhimit maksimal të çdo futbollisti për të arritur rezultatin e dëshiruar.
“Duhet të djersisim shumë dhe të sakrifikojmë shumë për të shkuar te rezultati që kërkojmë. Ne e vlerësojmë maksimalisht çdo kundërshtar dhe lojtarët që do të zbresin në fushën e lojës duhet të japin gjithçka nga vetja.
Kemi një kontingjent të mirë futbollistësh dhe rikthimi gradual i një pjese të lojtarëve të dëmtuar na jep më shumë alternativa dhe mundësi për të ndërhyrë në çdo moment të ndeshjes”, përfundoi trajneri i Dinamos.
Përballja Dinamo–Egnatia do të zhvillohet nesër, më 25 tetor, në orën 18:30, në stadiumin “Elbasan Arena”, e vlefshme për javën e 8-të të “Abissnet Superiore”.