Dinamo rikthehet në kampionat pas përfundimit të rrugëtimit europian, me fokusin tashmë të përqendruar te sfida e radhës në Abissnet Superiore. Blutë do të përballen të hënën me Skënderbeun në “Elbasan Arena”, në një takim ku objektivi është rikthimi te rezultatet pozitive.
Në prag të kësaj përballjeje, trajneri Ilir Daja foli për mediat, duke analizuar gjendjen e skuadrës pas ndeshjes së fundit në Conference League, kundërshtarin dhe pritshmëritë për sfidën ndaj korçarëve.
“Rikthehemi në kampionat, pavarësisht se nuk ka nisur në më të mirën e mundshme, duke qenë se kemi bërë një rotacion shumë të madh në javën e parë, sepse ishim të detyruar nga ndeshja që na priste në play-off-in e Conference League, ndeshja e dytë në Qipro.
Jemi të ndërgjegjshëm që rrugëtimi në Europë është një sukses, duke parë që është viti i dytë që Dinamo shkon në play-off dhe gjithashtu jemi koshient që ky rrugëtim në Europë vjen pasi kemi bërë një kampionat relativisht të mirë, sepse kampionati të jep mundësinë që të qëndrosh në vendet e sipërme e të paraqesësh vlerat si ekip edhe në Europë.
Tani kthehemi dhe fokusohemi në kampionat. E dimë që është e vështirë, sepse kemi bërë 120 minuta në play-off para tre ditësh. Përballë kemi një Skënderbe që rikthehet në Abissnet Superiore dhe është një vlerë e shtuar rikthimi i Skënderbeut në elitën e kampionatit shqiptar.
Ne jemi një ekip që kemi ruajtur njëfarë strukture dhe jemi përforcuar me lojtarë të rinj, por besoj që ndeshja me Skënderbeun duhet vlerësuar në maksimum, sepse edhe ata vijnë pas një barazimi me një dozë psikologjike disi të mirë, duke parë barazimin në ndeshjen e parë me Vllazninë. Dhe ne duhet të menaxhojmë sa më mirë që të jetë e mundur ato burime energjetike, që të jemi sa më efikasë në këtë përballje që kemi nesër në Elbasan kundër Skënderbeut.
Skuadra është në gjendje të mirë, edhe pse vazhdojmë të kemi probleme me dy lojtarë për shkak të viruseve të stinës që janë në qarkullim, ku njëri prej tyre, Aliji, nuk do të jetë i gatshëm. Ndërsa pjesa tjetër është e gjitha në dispozicion për ndeshjen e nesërme.”
Dinamo do të zbresë në fushën e “Elbasan Arena” të hënën në orën 21:00, me synimin për të lënë pas impenjimet europiane dhe për të përqendruar të gjithë energjitë te kampionati. Përballja ndaj Skënderbeut është e vlefshme për javën e dytë të Abissnet Superiore.