October 15, 2026

Dinamo rikthehet në fushë për javën e 7-të të Abissnet Superiore, ku do të presë Teutën në stadiumin “Elbasan Arena”, të premten, më 16 tetor, në orën 18:30.

Blutë synojnë rikthimin te rezultatet pozitive, pas ndeshjes së fundit ndaj Vllaznisë, ndërsa përballë do të kenë skuadrën që kryeson aktualisht kampionatin. Një përballje e rëndësishme për dinamovitët, të cilët kërkojnë të shfrytëzojnë faktorin fushë për t’u rikthyer te fitorja.

Në prag të kësaj sfide, trajneri Ilir Daja ka vlerësuar kundërshtarin, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e marrjes së maksimumit nga kjo përballje.

Përballja me Teutën dhe objektivi i Dinamos- “Kemi një ndeshje të fortë nesër, duke parë që përballë kemi një kundërshtar që ka treguar stabilitet në këto javë të para dhe është kryesues i kampionatit. Duke respektuar kundërshtarin që kemi përballë, jemi të detyruar të rikthehemi te fitorja. Ne do të zbresim në fushën e lojës për të marrë maksimumin”, u shpreh trajneri Daja.

Përgatitjet dhe gjendja e skuadrës – Tekniku i Bluve u ndal edhe te puna e zhvilluar gjatë javës, duke shprehur besimin se skuadra do të reflektojë në fushë përgatitjet e bëra në stërvitje.“Kemi punuar shumë për këtë ndeshje dhe lojtarët me të cilët kemi punuar këtë javë do të japin maksimumin. Sot kemi zhvilluar seancën e fundit stërvitore. Lojtarët që do ta nisin ndeshjen nga minuta e parë kanë punuar shumë mirë dhe shpresoj që skuadra të tregojë në fushën e lojës atë që kemi përgatitur me seriozitet gjatë seancave stërvitore”, përfundoi trajneri i Dinamos.

Takimi Dinamo–Teuta do të zhvillohet të premten, më 16 tetor, në orën 18:30, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Related Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *