Dinamo ka dalë me një pikë nga transferta ndaj Vorës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 10-të të kampionatit “Abissnet Superiore”. Blutë e drejtuar nga trajneri Ilir Daja barazuan 2-2 në një përballje ku krijuan raste të shumta shënimi, përmbysën disavantazhin, por pësuan golin e barazimit në minutën e fundit të kohës shtesë, duke humbur një mundësi të mirë për të ngushtuar diferencën me kreun e renditjes.
Dinamo e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe me synimin e qartë për të gjetur sa më shpejt golin. Në minutën e 6-të, Malomo pati një mundësi të artë për të kaluar Blutë në avantazh, por i vetëm përballë portierit kundërshtar, goditi mbi traversë. Gjashtë minuta më vonë ishte radha e Skënder Metës për të rrezikuar portën e Vorës, por pa arritur të finalizonte. Vetëm pak sekonda më pas, Malomo provoi sërish me një goditje nga distanca, por pa sukses.
Pavarësisht rasteve të krijuara nga Dinamo, në minutën e 14-të ishin vendasit që kaluan në avantazh. Një kundërsulm i shpejtë i Vorës u finalizua nga Gjyla, i cili zhbllokoi rezultatin.
Reagimi i Bluve ishte i menjëhershëm. Në minutën e 21-të, Malomo realizoi një gol spektakolar, duke dërguar topin në rrjetë me një goditje të fuqishme nga jashtë zonës dhe duke rikthyer baraspeshën në rezultat.
Pas golit të barazimit, Dinamo vijoi të ushtronte presion dhe të kërkonte përmbysjen. Në minutën e 31-të, Qefalija provoi me një goditje nga distanca, por portieri kundërshtar reagoi saktë, duke devijuar topin në goditje këndi. Më pas ishte Alhassan që rrezikoi me një tjetër goditje nga jashtë zonës, e cila u devijua sërish në këndore. Nga zhvillimet e aksionit pasues, Malomo tentoi edhe një herë, por goditja e tij përfundoi jashtë kuadratit.
Në minutën e 39-të erdhi një tjetër mundësi e shkëlqyer për Dinamon. Malomo goditi nga brenda zonës, por tentativa e tij u ndal nga portieri vendas. Topi i kthyer përfundoi në këmbët e Skënder Metës, i cili, nga një pozicion mjaft i favorshëm, nuk arriti ta dërgonte në rrjetë.
Pavarësisht rasteve të shumta të krijuara nga Blutë, pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1.
Pjesa e dytë nisi me dy ndryshime në formacionin e Dinamos. Trajneri Ilir Daja aktivizoi Hoxhallarin dhe Ruben Silvën në vend të Lorran dhe Skënder Metës, me synimin për t’i dhënë më shumë freski dhe forcë skuadrës.
Dinamo vijoi të kontrollonte lojën dhe të kërkonte golin e avantazhit. Në minutën e 62-të, Flamur Ruçi zuri vendin e Lorenco Vilës, ndërsa Blutë vazhduan përpjekjet për të depërtuar në mbrojtjen kundërshtare.
Këmbëngulja e Dinamos u shpërblye në minutën e 75-të. Pas një krosimi të saktë të Hoxhallarit, Farruku u shkëput në zonë dhe me një goditje të bukur me kokë dërgoi topin në rrjetë, duke përmbysur rezultatin në 1-2. Menjëherë pas golit, autori i tij u largua nga fusha mes duartrokitjeve të tifozëve dinamovitë, duke i lënë vendin Hekuran Berishës.
Vetëm tri minuta më vonë, Dinamo pati mundësinë ideale për të mbyllur përfundimisht llogaritë e ndeshjes. Një kundërsulm i shpejtë nxori katër futbollistë të Bluve përballë vetëm dy mbrojtësve vendas, por aksioni nuk u finalizua siç duhet, duke lënë të hapur rezultatin.
Në minutën e 86-të, trajneri Daja kreu edhe ndryshimin e fundit, me Qardakun që zuri vendin e Qefaliajt.
Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt një fitoreje të rëndësishme për Dinamon, erdhi momenti që ndryshoi fatin e takimit. Në minutën e 94-t, pas katër minutave shtesë të akorduara nga arbitri, Vora arriti të shënonte golin e barazimit, duke fiksuar rezultatin përfundimtar në 2-2.
Një përfundim zhgënjyes për Blutë, që pavarësisht kontrollit të lojës, rasteve të krijuara dhe përmbysjes së rezultatit, u detyruan të kënaqeshin me vetëm një pikë, duke lënë dy pikë të rëndësishme në garën për kreun e renditjes.
Formacioni i Dinamos: Teqja, Ismaili, Dita, Aliji, Lorran, Alhassan, Qefalija, Meta, Vila, Malomo, Farruku.U aktivizuan: Hoxhallari, Ruben Silva, Ruçi, Berisha dhe Qardaku.
Pas javës së 10-të, Dinamo renditet në vendin e tretë të kampionatit me 17 pikë, tri pikë pas Teutës së vendit të dytë dhe shtatë pikë larg Egnatias kryesuese.
Blutë e trajnerit Ilir Daja do të rikthehen në fushë të dielën, më 8 nëntor 2026, kur do të udhëtojnë drejt Korçës për t’u përballur me Skënderbeun, në ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të të “Abissnet Superiore”.