Dinamo do të rikthehet në fushën e lojës të hënën, më 2 nëntor, për t’u përballur me Vorën, në ndeshjen e radhës të kampionatit “Abissnet Superiore”. Takimi do të zhvillohet në stadiumin e Vorës, duke nisur nga ora 13:30.
Në prag të kësaj përballjeje, për faqen zyrtare të klubit ka folur zëvendëstrajneri i bluve, Renaldo Kalari, i cili ka vlerësuar kundërshtarin, duke theksuar njëkohësisht se objektivi i Dinamos mbetet marrja e tri pikëve.
“Kemi përpara një ndeshje të rëndësishme. Ashtu si në çdo përballje, ne zbresim në fushën e lojës për të marrë maksimumin. Do të bëjmë më të mirën për të siguruar tri pikët, që është edhe objektivi ynë, duke pasur parasysh renditjen në kampionat. Përballë kemi një skuadër si Vora, që ka treguar stabilitet në rezultate, veçanërisht në fushën e saj. Është një kundërshtar me cilësi dhe agresivitet në lojë. Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që paraqet kjo ndeshje, por kjo nuk ndryshon asgjë në objektivin tonë. Ne duhet të zbresim në fushë për të marrë maksimumin”, u shpreh Kalari.
Zëvendëstrajneri i Dinamos u ndal edhe te përgatitjet e skuadrës, duke theksuar se kalendari i ngjeshur i ndeshjeve ka kushtëzuar programin stërvitor të ditëve të fundit, me fokus kryesor rikuperimin fizik dhe përgatitjen taktike.“Duke qenë se kemi pasur një kalendar të ngjeshur ndeshjesh, në këto ditë që kemi pasur në dispozicion jemi përqendruar më shumë te rikuperimi i gjendjes fizike të lojtarëve, si dhe te puna në aspektin teorik dhe taktik. Kemi analizuar kundërshtarin e radhës dhe kemi punuar për të përgatitur në mënyrën më të mirë manovrën e skuadrës sonë. Grupi është pothuajse i plotë, megjithëse kemi dy-tri pikëpyetje për disa lojtarë, të cilët shpresojmë t’i rikuperojmë në kohë për ndeshjen”, përfundoi Kalari.
Blutë do të kërkojnë të vijojnë me rezultate pozitive, pas fitores së rëndësishme ndaj Egnatias dhe barazimit në derbin me Tiranën, me synimin për të marrë maksimumin e pikëve dhe për të përmirësuar pozitat në renditjen e kampionatit.