November 1, 2026

Dinamo përmbys Egnatian, Vila dhe Qefaliaj firmosin fitoren

Dinamo rikthehet te fitorja dhe e bën këtë në një përballje të rëndësishme ndaj kampionëve në fuqi të Egnatias. Blutë e drejtuar nga trajneri Ilir Daja triumfuan me rezultatin 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e tetë të Abissnet Superiore, falë golave të Lorenco Vilës dhe Klevi Qefaliajt, të cilët përmbysën avantazhin e hershëm të kundërshtarëve.

Një fitore me peshë për Dinamon, që lë pas dy humbjet ndaj Vllaznisë dhe Teutës dhe vijon rrugëtimin drejt kreut të renditjes.

Ndeshja nisi në mënyrën më të pafavorshme për Blutë, të cilët e panë veten në disavantazh që në minutën e dytë. Kryeziu përfitoi nga një top i humbur nga Malomo jashtë zonës dhe, me një goditje të fuqishme nga rreth 25 metra, surprizoi portierin Teqja, duke kaluar Egnatian në avantazh. Megjithatë, reagimi i Dinamos nuk vonoi. Skuadra e trajnerit Daja mori kontrollin e lojës, rriti presionin ndaj kundërshtarit dhe krijoi disa situata të rrezikshme përpara portës së Egnatias.Përpjekjet e Bluve u konkretizuan në minutën e 33-të, kur Lorenco Vila, me një goditje të saktë nga brenda zonës, riktheu baraspeshën në rezultat.Vetëm katër minuta më vonë, Dinamo kompletoi përmbysjen. Një aksion i bukur sulmues u finalizua në mënyrën më të mirë nga Klevi Qefaliaj, i cili shfrytëzoi pasimin e Ruben Silva-Richards për të dërguar topin në rrjetë dhe për të kaluar Blutë në avantazh 2-1.

Në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, Dinamo pati një tjetër mundësi të artë për të thelluar rezultatin. Oresti Rifa u gjend i vetëm përballë portierit kundërshtar, por nuk arriti të finalizonte, duke bërë që skuadrat të shkonin në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2-1.

Pjesa e dytë nisi me një ndryshim në formacionin e Dinamos, me Ruçin që mori vendin e Rifës. Loja vijoi me ritëm të lartë, ndërsa Blutë treguan kujdes në administrimin e avantazhit, pa hequr dorë nga përpjekjet për të gjetur golin e tretë.Në minutën e 65-të, trajneri Ilir Daja ndërhyri sërish nga stoli, duke aktivizuar Manellarin dhe Hekuran Berishën në vend të Malomos dhe Lorran.

Në minutën e 77-të, Qardaku mori vendin e Alhassan, ndërsa katër minuta më vonë Florenc Farruku zëvendësoi Ruben Silva-Richards, duke kompletuar pesë zëvendësimet e Dinamos.Minutat e fundit sollën dy mundësi të tjera të mira për Blutë, që kërkuan të siguronin përfundimisht fitoren.Në minutën e 85-të, Manellari provoi të shënonte, por goditja e tij u ndal nga portieri kundërshtar. Vetëm një minutë më vonë, Lorenco Vila ishte protagonist i një aksioni individual mjaft të bukur. Mesfushori dinamovit depërtoi mes tre kundërshtarëve dhe goditi drejt portës, por topi përfundoi ngjitur me shtyllën.

Pavarësisht përpjekjeve në minutat e mbetura, rezultati nuk ndryshoi dhe vërshëllima përfundimtare vulosi fitoren 2-1 të Dinamos, një sukses i rëndësishëm për moralin e skuadrës dhe objektivat e saj në kampionat.

Me këtë triumf, Blutë rikthehen te tri pikët pas dy rezultateve negative dhe konfirmojnë vendosmërinë për të qenë protagonistë në garën për kreun e renditjes.

Formacioni i Dinamos:Teqja; Ismaili, Dita, Aliji, Lorran; Qefaliaj, Malomo, Alhassan; Vila, Ruben Silva-Richards, Rifa.

Dinamo do të mbyllë fazën e parë të kampionatit me derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës, që do të zhvillohet ditën e enjte, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

Related Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *