Dinamo City ka kanëqësinë të njoftojë afrimin e dy futbollistëve të rinj në skuadër. Mory Bamba dhe Jorgo Meksi janë pjesëtarët më të rinj të skuadrës sonë. Prezantimi i dy blerjeve të para të merkatos së dimrit është bërë sot nga drejtori sportiv i klubit, Haris Fakiç.
Me këta dy afrime forcohet mbrojtja në krahun e djathtë dhe sulmi. Janë dy elementë që pritet ta ndihmojnë skuadrën blu për pjesën e mbetur të sezonit.
Bamba, 21 vjeç, është formuar tek akademia e Romës dhe më pas ka pasur një aktivizim me Livornon në Itali dhe Leiksoesh në Portugali. Ai ka nënshkruar me Dinamo City për 3 vjet. Luan në pozicionin e sulmuesit anësor, por edhe si sulmues i dytë.
Meksi, 27 vjeç, është një emër i njohur në futbollin shqiptar, pasi më parë ka qenë pjesë e Skënderbeut dhe Kukësit. Ai e njeh shumë mirë kampionatin tonë dhe do të jetë një forcë e shtuar në linjën e djathtë. Kontrata e tij me Dinamo City ëhstë për 18 muaj.
Presidenti Adrian Bardhi dhe klubi janë maksimalisht të angazhuar për të plotësuar nevojat e stafit teknik gjatë merkatos së dimrit. Fokusi është tek afrimi i një mesfushori dhe një sulmuesi, por edhe në mbrojtje mund të ketë sërish përforcime.