Goditja e radhës e Dinamo City në merkato është Ardit Tahiri. Sulmuesi 21-vjeçar nga Kosova ka firmosur kontratën me klubin tonë dhe është vënë menjëherë nën urdhrat e trajnerit Dritan Mehmeti.
Tahiri vjen nga Drita dhe është pjesë e Kosovës U-21, ku ka bërë paraqitje mjaft të mirë dhe ka shënuar gola të rëndësishëm. Ai vjen te Dinamo City si një afrim me vlera për të tashmen dhe të ardhmen.
Në Kosovë vlerësohet nga të gjithë specialistët si një nga sulmuesit më premtues. Skuadra jonë kishte nevojë për përforcime në sulm, ku me ardhjen e Tahirit ka edhe më shumë konkurrencë, çka pritet të ndihmojë për rezultate më të mira.
Tahiri është afrimi numër 5 i Dinamo City në merkaton e dimrit, pas Jorgo Meksit, Stivian Jankut, Mori Bambës dhe Kilian Çunit. Nga ekipi është larguar zyrtarisht Silvio Vokrri, i cili ka mbyllur bashkëpunimin me mirëkuptim.