October 22, 2024

Daja flet para derbit me Tiranën

Para derbit me Tiranën, që do të luhet ditën e shtunë në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, ka folur trajneri i Dinamo City, Ilir Daja. Ai beson se do të jetë një derbi spektakolar.

“Së pari gjej rastin të falënderoj Flamurtarin dhe presidentin Sinan Idrizi që na hapën derën, pavarësisht se është pritëse Tirana në këtë ndeshje. Më në fund u gjet edhe stadiumi, kjo është pozitive. Jo pozitive është distanca e largët e tifozëve, por shpresojmë që vakumin që mund të krijohet nga mungesa e tifozëve të Tiranës dhe Dinamos, ta plotësojnë tifozët vlonjatë. Edhe ata e pëlqejnë derbin.

Dinamo dhe Tirana kanë luajtur hapur këto javë dhe besoj se spektakli do të jetë i sigurt. Kemi mungesa, por do të mësohemi me to, sepse gjatë kampionati ne dhe kundërshtarët do të kemi mungesa nga dëmtimet dhe kartonët. Nuk justifikohemi me faktin që kemi mungesa, kemi punuar me lojtarët që kemi në dispozicion.

Ndërrimet janë 5 tani dhe duhet të kemi një kontigjent më të madh për të përballuar ndeshjet. Ata që do të luajnë nesër, do të japin maksimumin. Derbi është një ndeshje për t’u fituar, por i ka të tre rezultatet brenda.

Nuk ka diferencë të madhe mes ekipeve, Tirana në këto 8 javë ka vetëm një humbje dhe kjo do të thotë se duhet të djersijmë shumë. Duhet shumë kujdes që të marrim maksimumin. Duhet menaxhuar presioni i tepërt, sepse derbi ka më shumë presion se ndeshjet e tjera, edhe pse në fund të fundit vlera e pikëve është njësoj.

Tirana më shumë presion? Jo, nëse nisemi nga ky fakt, bëjmë gabim. E thashë që diferencat e dy ekipeve nuk janë të mëdha. Presioni është për të dy ekipet. Është derbi i parë mes Tiranës dhe Dinamos dhe dy skuadrat do të mundohen të shkojnë drejt portës kundërshtare me forca të mëdha.

Na pëlqen të shkojmë drejt fitores, por duhet të djersitim. Tirana ka tranzicione të forta në lojë, si negative, edhe pozitive. Kemi mungesa, por duhet t’i hedhim pas krahëve. Do ketë ndryshime, por nuk mund t’i bëj të ditura”, tha mes të tjerash trajneri Daja.

Për ndeshjen me Tiranën, skuadra jonë nuk ka të gatshëm portierin Edmir Sali, mbrojtësin Rustem Hoxha dhe mesfushorin Bakary Gudiaby.

Related Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *