Vitin 2024 Dinamo City e mbyll me ndeshjen ndaj Egnatias, që luhet të shtunën, në orën 16:30, në stadiumin “Elbasan Arena”. Përpara kësaj sfide ka folur trajneri Ilir Daja, i cili mes të tjerash ka theksuar:
“Kemi një ecuri të mirë, por përballemi me skuadrën kampione në fuqi, pretendente për fitimin e titullit. Ka vështirësi, sepse kemi pasur probleme me viruset stinore. Disa lojtarë kanë pasur probleme.
Na pret një ndeshje e fortë, pasi Egnatia ka lojtarë të mirë dhe një manovër të konsoliduar për meritë të trajnerit Tetova dhe stafit të tij. Ne nuk kemi rrugë tjetër, do të futemi për të bërë maksimumin.
Diferenca është shumë e vogël midis 4-shes së parë dhe besoj deri në fund do të ketë rotacione. Duhet kujdes edhe nga ndonjë ekip tjetër që mund të ketë ecuri pozitive. Kampion dimri është arritje morale, është gjysma e punës dhe pa gjysmën tjetër nuk ka ndonjë vlerë të jashtëzakonshme.
Për llogari është pak herët. Kemi edhe festat përpara, kemi disa ditë për t’u rikuperuar nga ana psikologjike dhe fizike. Ndeshja e nesërme, nuk ka të bëjë me çfarë ka ndodhur, apo çfarë do të ndodhë deri në fund. Do të luftojmë ballazi me ekipin që mban petkun e kampionit.
Egnatia nuk shënon shumë, por ka dhe një raport të ulët të pësimit të golave, kërkon ta mbajë topin në kontroll dhe ne duhet t’i lëmë sa më pak kohë në dispozicion kundërshtarit për administrimin e lojës.
Tetova? Më vjen mirë, jo vetëm për Edlirin që ka këto rezultate. Është një trajner me perspektivë, pavarësisht se e ka vënë statusin e vet në futbollin shqiptar. Më vjen mirë kur shoh që ka dorë trajneri brenda një ekipi, kushdo qoftë ky trajner.
Merkato? Dje kemi qenë si grup për të parë disa lojtarë për pozicionet ku na duhen. Jo se nuk vlerësojmë grupin që kemi, por për vazhdimësinë dhe mungesat apo rivalitetin kemi nevojë të përforcohemi në 2-3 vende. Po punojmë, nuk do të presim fundin e janarit për lojtarë që mund të vijnë”.