Shorti i turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë e ka vendosur Dinamo City përballë Skënderbeut. Kualifikimi vendoset me dy ndeshje, me sistemin vajtje-ardhje. Ndeshja e parë luhet më 5 shkurt në fushën tonë, kurse e kthimit më 26 shkurt në Korçë.
Dinamo City përfaqësohej në hedhjen e shortit nga drejtori i klubit, Ermal Barushi, i cili është shprehur: “Them që shorti është i mirë për ne. Me Skënderbeun në mos gaboj jemi takuar edhe para 3-4 vitesh në këtë nivel Kupe.
Kupa ka specifikë tjetër me kampionatin, nuk ka rëndësi ku është Skënderbeu në renditje. Ne luftojmë në të dy frontet, për të dyja kupat. Shpresojmë të bëjmë më të mirën, të marrim një rezultat të mirë që në ndeshjen e parë”.