Pas fitores 0-1 në Shkodër, që solli edhe kualifikimin e skuadrës sonë në finalen e Kupës së Shqipërisë, trajneri Ilir Daja u shpreh:
“Urimet u shkojnë gjithë lojtarëve. Kupën duhet ta kurorëzosh. Fitorja është një bonus i madh psikologjik, në ndeshjen e parë nuk ishim më mirë se Vllaznia, sot gabuam në fillim me topa në thellësi. Kalimi në finale, që kishim objektiv, u arrit. Do të luftojmë për objektivat në Kupë dhe kampionat.
Ndihet lodhja kur nuk bën rotacion dhe nuk freskon ekipin. Qardaku, Qefalija vijnë nga dëmtimet, nuk kanë gjendjen më të mirë. Kishim për qëllim të mbroheshim. Na vjen mirë që jemi në rrugën e finales, gjithë kjo sakrificë u shkon futbollistëve, kanë amortizuar pjesën e mungesave.
Për sa u përket dëmtimeve, Andre e ka më të vështirë, ka dëmtim te pulpa. Me kontigjentin që kishim, çunat dhanë maksimumin, i dhanë kohë Qefalisë. Doja të përshëndesja futjen e Koma, kjo është panorama e kësaj gjysmëfinale. Na jep një bonus psikologjik, asgjë s’ka mbaruar duhet të jemi më këmbë në tokë. Gjërat mbarojnë kur mbaron gjithçka.
Vllaznia në mesfushë markonte 1 kundër 1, e morëm ndeshjen me trysni më të madhe dhe filluam të luanim me topa të gjatë. Në situatat që do luante Vllaznia me topa të gjatë, kishim përgatitur që Beqja të krijonte pesëshen dhe të bënim një treshe të fortë për të luftuar në ajër. Vllaznia e përqendroi aty sulmin pas pësimit të golit.
Vllaznia ka lojtarë me kualitete, lojtarë që vijnë nga linja e dytë, si Kallaku, Mala, Jago. Janë lojtarë që veprojnë. Zbritja e Krymit krijonte superioritet, na nxirrte nga presingu treshen e parë. Na interesonte që Qardaku të rrinte poshtë. Qardaku dhe Vila punuan jashtë mase. E kemi Qefalinë nga më të mirët, Koma është 19 vjeç, me një strukturë të mirë dhe një shpejtësi të konsiderueshme. Pa dëmtime mund të bëhet pikë e fortë e ekipit, do kohë.
Kushdo që shkon në finale, është ekip i forte. Egnatia është kampione në fuqi, nuk ka finale të lehtë. Na jep qetësi pjesa e kontigjentit, përveç Nezirit, Lorran, Guindo dhe Berishës, pjesa tjetër është afruar”.