August 13, 2026

Prag Auda – Trajneri Ilir Daja dhe Eridon Qardaku përpara mediave

Trajneri Ilir Daja dhe mesfushori Eridon Qardaku kanë dalë në konferencën zyrtare për shtyp, një ditë para ndeshjes kualifikuese për raundin e tretë të UEFA Europa Conference League ndaj letonezëve të KF Audas, ndeshje që do të zhvillohet në Elbasan Arena duke filluar nga ora 21:00.

Trajneri Daja u shpreh optimist se skuadra do të zbatojë plotësisht detyrat e ngarkuara dhe do të arrijë objektivin për kalimin në fazën play-off, duke qënë e kujdesshme dhe e duruar por shumë agresive.

“ Duhet patjetër që të jemi në ekuilibër gjatë gjithë kohës që të mos i lëmë kundërshtarit hapësirë, pasi ka lojtarë që individualisht mund të na dëmtojnë. Nuk duhet ta kemi mendjen te rezultati por te ajo që i themi ne manovër dhe ekuilibër. Pavarësisht se në ndeshjen e parë Auda ka bërë një hap të vogël përpara, duhet të them që edhe ne kemi pasur shanset tona atje dhe mund të mbaronte me rezultat tjetër. Mendojmë që në fushën tonë jemi më të përshtatur se kundërshtari. Ta shfrytëzojmë këtë element gjatë 90 minutave dhe pse jo, të vazhdojmë të pretendojmë për më tej, edhe pse përballë kemi një kundërshtar të fortë. Duhet të jemi agresivë, po aq shumë sa të kemi një shkallëzim shumë të mirë që të mos i lëmë hapësirë kundërshtarit, për të mos realizuar kundërsulme, sepse e kanë një pikë relativisht të mirë.

Skuadra në ndeshjen e parë bëri lojën e vet. Ishte në fushë gjatë të gjithë 90 minutave. Prandaj citova që ne pak a shumë duhet të bëjmë të njëjtën lojë, por të jemi më efikas para portës. Rastet që na u krijuan duhet t’i shfrytëzojmë me më shumë efikasitet.

Eksperienca ndërkombëtare e trajnerit Daja- Eksperienca është goxha e madhe, të them të drejtën. Nesër është ndeshja e 66-të e imja në kompeticionet europiane, me 16 kualifikime. Por besoj që eksperienca vjen në plan të dytë, sepse nesër primarë janë gjithmonë lojtarët, çfarë do të bëjnë ata në fushën e lojës. Ne, si herët e tjera, duke parë që çdo lojtar ka dhënë maksimumin dhe grupi ka qenë në të dyja fazat e lojës bashkë, besojmë që kjo mund të na çojë drejt një rezultati pozitiv. Ndërsa eksperienca do të na ndihmojë që në situatat e lojës, të bëjmë zgjedhjet e duhura edhe në bazë të manovrës që do të ketë kundërshtari.

Penalltitë? – Të them të drejtën, në të gjithë karrierën, ku kemi pasur disa raste ku jemi kualifikuar edhe me penallti, nuk i kam punuar penalltitë përpara, sepse e di që është tjetër gjë t’i gjuash në stërvitje dhe tjetër në ndeshje. Ka doza emocionale të ndryshme. Por u kam dhënë prioritet gjithmonë lojtarëve që marrin kurajën për të goditur, sepse ai që merr kurajën për të goditur, mendoj se është më i përgatitur psikologjikisht sesa ndonjë tjetër që është me dy mendje.

Manovra e skuadrës? Do të bëjmë atë që kemi punuar gjatë gjithë kësaj periudhe pas ndeshjes së kthimit nga Letonia, duke u nisur nga fakti që kemi parë kundërshtarin dhe do të shfrytëzojmë ato element që kundërshtari nuk i ka si pika të forta”, përfundoi fjalën e tij trajneri Daja.

Mesfushori Eridon Qardaku nënvizoi besimin që ekziston në skuadër dhe punën e madhe që është bërë nga klubi për të arritur deri në këtë pikë. “Absolutisht që besojmë te kualifikimi, sepse kemi punuar shumë. Bëhet fjalë për një punë që nuk ka nisur vetëm këtë vit, por në vazhdimësi. Edhe me ndihmën e lojtarëve që kanë ardhur, besoj se e kanë kuptuar filozofinë që kemi ne si klub dhe atë që trajneri kërkon. Duke i bashkuar të gjitha këto komponentë bashkë, absolutisht që kemi besim. Të kthesh një rezultat 0-1 është e vështirë, por ndonjëherë është edhe e lehtë ta humbasësh një ndeshje që e ke fituar 1-0. Besoj se ne na takon të bëjmë detyrat që na ka dhënë trajneri. Të rrisim dyluftimet, të jemi të ashpër dhe, me një performancë të mirë dhe dinjitoze nga ana e secilit prej nesh, besoj se mund të kalojmë më tej.

Tifozët – Me këtë rast u bëj edhe një thirrje që të jenë sa më të shumtë për të na përkrahur, sepse absolutisht është një shtysë më tepër për të na ndihmuar.”

Related Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *