Dinamo City ka marrë fitoren e dytë radhazi në kampionat, duke mposhtur 2-1 Elbasanin në “Elbasan Arena”, në ndeshjen e vlefshme për javën e tretë të Abissnet Superiore.
Blutë zhvilluan një pjesë të parë shumë të mirë, duke kontrolluar lojën dhe krijuar disa mundësi për shënim. Pavarësisht dominimit të Dinamos, ishte Elbasani që kaloi i pari në avantazh, në minutën e 25-të. Skuadra e trajnerit Ilir Daja reagoi dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 36-të, me anë të Hekuran Berishës. Me rezultatin 1-1 u mbyll edhe pjesa e parë.
Fraksioni i dytë nisi me të njëjtën tablo, me Dinamon që vazhdoi të kontrollonte lojën dhe të krijonte raste. Përmbysja u kompletua në minutën e 65-të, kur Lorenco Vila realizoi golin e avantazhit, duke e çuar rezultatin në 2-1.Në minutën e 75-të, trajneri Daja kreu tre zëvendësime, me Ruçin, Mustafën dhe Farrukun që morën vendet e Ismailit, Metës dhe Berishës. Pesë minuta më vonë ishte radha e Dejvi Metajt për të zbritur në fushë në vend të Ruben Silvës.Dinamo pati mundësi edhe për të thelluar avantazhin. Në minutat 82 dhe 84, Mustafa iu afrua dy herë golit, por pa arritur të gjente rrugën e rrjetës.
Rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën përfundimtare, me Dinamon që siguroi fitoren 2-1 dhe regjistroi suksesin e dytë radhazi në Abissnet Superiore.
Formacioni i Dinamos ndaj Elbasanit:Teqja, Ismaili (Ruçi), Alhassan, Aliji, Hoxhallari, Qefalija, Meta (Farruku), Malomo, Vila, Ruben Silva (Metaj), Berisha (Mustafa).
Ndeshja e radhës për blutë, e vlefshme për javën e katërt të Abissnet Superiore, do të jetë derbi ndaj Partizanit, në transfertë, më 12 shtator.