September 6, 2026

Prag Elbasani \ Zv. Trajneri Glen Daja prononcim për mediat

Në prag të ndeshjes ndaj Elbasanit, e vlefshme për javën e tretë të Abissnet Superiore, e cila do të zhvillohet të dielën, në orën 18:30, në “Elbasan Arena”, për faqen zyrtare të klubit ka folur zëvendëstrajneri i Dinamo City, Glen Daja.

Daja vlerësoi kundërshtarin e kësaj jave, ndërsa vuri theksin te puna e zhvilluar nga skuadra gjatë ditëve të fundit.

“Kemi përpara një ndeshje të rëndësishme ndaj një rivali direkt, siç është skuadra e Elbasanit. Do të luajmë në ‘Elbasan Arena’, në një terren shumë të mirë të cilin tashmë e njohim mjaft mirë sepse kemi zhvilluar ndeshjet tona europiane dhe kemi pasur sukses.

Besojmë se do të zhvillojmë një ndeshje të bukur, si ato që luajtëm në Europë. Jemi të vetëdijshëm se do të jetë një sfidë e luftuar dhe me rivalitet të madh. Uroj të ketë sa më shumë tifozë, për të krijuar një atmosferë të bukur dhe një ambient të mirë për të luajtur futboll, sepse kjo i ndihmon shumë lojtarët për të dhënë më të mirën e tyre”, u shpreh Daja.

Zëvendëstrajneri i bluve u ndal gjithashtu te përgatitjet e skuadrës gjatë kësaj jave, ku Dinamo, për herë të parë në këtë edicion, ka pasur në dispozicion pothuajse një javë të plotë stërvitore.

“Si rrallëherë gjatë kësaj periudhe, pasi kemi pasur një kalendar të ngjeshur për shkak të ndeshjeve në Europë, këtë herë kemi pasur në dispozicion pothuajse një javë të plotë për t’u përgatitur për sfidën e radhës.

Kemi punuar shumë mirë me skuadrën dhe shpresoj që ekipi të paraqitet ashtu siç duhet, pavarësisht se grupi nuk është ende 100% i plotë. Mund të kemi disa mungesa, por situatën përfundimtare do ta vlerësojmë në prag të ndeshjes”, përfundoi zëvendëstrajneri Glen Daja.

Related Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *