September 11, 2026

Java e 4 / Trajneri Daja flet për ndeshjen me Partizanin

E shtuna rezervon derbin e parë të sezonit për Dinamon e drejtuar nga trajneri Ilir Daja. Përballë është Partizani si pritës, që ka vendosur që kjo ndeshje të zhvillohet në stadiumin e Vorës, në orën 16:00.

Në prag të kësaj ndeshjeje të rëndësishme duke folur për faqen zyrtare të klubit, trajneri Daja ka vlerësuar forcën e kundërshtarit dhe nënvizon se Derbi do të fitohet nga skuadra që do të bëj më pak gabime.

“Ndeshjet derbi janë ndeshje të veçanta, janë ndeshje që luhen për t’u fituar. Por në të njëjtën kohë janë edhe ndeshje të paparashikueshme. Vijmë me një optimizëm edhe me një entuziazëm të mirë, pra me një anë psikologjike të mirë duke parë ndeshjet e fundit ku kemi fituar ndaj rivalëve tanë. Por e dimë që dhe kundërshtari, Partizani, ka një gjëndje të mirë dhe vjen pas një fitoreje në transfertë me Vllazninë. Besoj që do jetë një ndeshje e hapur dhe do të fitojë ekipi që do bëjë më pak gabime. Sigurisht që shpresojmë që të jemi ne ata që do të bëjmë më pak gabime sesa kundërshtari. Skuadra duhet të jetë gjatë gjithë kohës në ekuilibër duke ditur që Partizani ka një tranzicion pozitiv si dhe kundërsulm të rrezikshëm me lojtarë të shpejtë. Ne duhet të jemi gjithë kohës në ekuilibër në mënyrë që t’i heqim këtë armë të fortë që ka kundërshtari”.

Profesor Daja shprehet i kënaqur nga puna e skuadrës në këtë javë stërvitore, me grupin që ka dy rikthime të rëndësishme, siç janë ato të kapitenit Bruno Dita që ka tejkaluar dëmtimin e pësuar dhe mesfushorit Qardaku që ka shlyer pezullimin pas kartonit të kuq në ndeshjen me Skendërbeun. “Kemi të gjithë kontigjentin më dispozicion për të përballuar ndeshjen derbi. Na është rikthyer kapiteni Dita që është një vlerë e shtuar për ekipin pasi ka kaluar dëmtimin e pësuar. Do ta shikojmë dhe në seancën e fundit stërvitore. Kemi edhe Qardakun nesër, pasi ka shlyer pezullimin pas kartonit të kuq dhe gjithashtu ka lënë pas krahëve një dëmtim që kishte. Gjatë javës kemi punuar mirë dhe skuadra është gati”.

Orari i ndeshjes dhe fusha sintetike – Do të thoja se nëse do të zhvillohej në mbrëmje, me ndriçim dhe në një fushë me bar natyral, do i shërbente të dyja ekipeve të jepnin maksimumin. Përtej kësaj, duhet të them se stadiumi i Vorës, është një stadium ku mund të performosh shumë mirë”, ka përfunduar prononcimin e tij Profesor Daja.

Related Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *