Dinamo është gati për sfidën e radhës në kampionat. Blutë do të presin Laçin në “Elbasan Arena”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 5-të të Abissnet Superiore.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja vjen në këtë takim në një moment pozitiv, pas tri fitoreve radhazi në tri ndeshjet e fundit. Rezultatet dhe paraqitjet pozitive kanë sjellë besim në kampin blu, ndërsa objektivi është që kjo ecuri të ketë vazhdimësi edhe në përballjen me Laçin.
Kjo do të jetë njëkohësisht ndeshja e fundit për Dinamon përpara pauzës trejavore të kampionatit, për shkak të angazhimeve të ekipeve kombëtare.
Në prag të sfidës, trajneri Ilir Daja ka folur për faqen zyrtare të klubit, duke analizuar momentin e skuadrës, kundërshtarin dhe rëndësinë e vazhdimësisë së rezultateve pozitive.
Përballja me Laçin – “Përpara kemi një ndeshje që do të jetë e bukur dhe shumë e luftuar nga të dyja skuadrat, të cilat vijnë nga një moment pozitiv. Ne kërkojmë vazhdimësinë e rezultateve pozitive, duke qenë se vijmë pas tri fitoreve radhazi, ashtu si edhe Laçi që nuk është mbrapa, duke parë se ka grumbulluar shtatë pikë.Dua ta theksoj se do të jetë një ndeshje e luftuar në maksimum. Ne do të kërkojmë të imponojmë lojën tonë, por duhet të kemi gjithashtu kujdes me ekuilibrat në prapavijë, sepse Laçi është një skuadër që del mirë në tranzicion.”
Gjendja e skuadrës– “Këtë javë kemi pasur një proces stërvitor gjatë të cilit nuk e kemi pasur të gjithë grupin në dispozicion, për shkak të disa dëmtimeve dhe shqetësimeve muskulore. Megjithatë, besoj se me kontingjentin tashmë të zgjeruar që kemi në dispozicion do të jemi të kompletuar.Një grup më i zgjeruar na jep mundësinë që t’i rikuperojmë siç duhet lojtarët që nuk do të jenë të pranishëm, ashtu siç na krijon mundësinë të bëjmë edhe rotacion për ndonjë lojtar që nuk ka qenë në gjendjen më të mirë fizike.Kemi pasur të gjithë kohën e nevojshme në dispozicion për ta përgatitur ndeshjen dhe besoj se nesër do ta vlerësojmë siç duhet Laçin, në mënyrë që të vazhdojmë me rezultatet pozitive.”
Një mesazh për tifozët– “Prania e tifozëve i jep tjetër bukuri ndeshjes dhe ne kemi gjithmonë nevojë për ta. Besoj se, me këtë start të kampionatit, tifozët tanë do të jenë të pranishëm për të na mbështetur.Futbolli luhet për tifozët dhe mbështetësit, ndaj ne do të bëjmë më të mirën tonë për t’i kënaqur”, u shpreh trajneri Ilir Daja.