November 1, 2026

Dinamo me karakter në derbi, barazim 1-1 ndaj Tiranës

Dinamo ka mbyllur në barazim 1-1 derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës, të zhvilluar të enjten në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, në kuadër të javës së 9-të të Abissnet Superiore. Blutë e drejtuar nga trajneri Ilir Daja zhvilluan një paraqitje pozitive, duke treguar karakter dhe shpirt gare, pavarësisht se luajtën për më shumë se një orë me një futbollist më pak.

Skuadra jonë e nisi ndeshjen me ritëm të lartë, duke marrë menjëherë kontrollin e lojës dhe duke shfaqur epërsi ndaj kundërshtarit. Me qarkullim të mirë të topit dhe iniciativë në fazën sulmuese, Blutë iu afruan disa herë portës së Tiranës, por pa arritur të konkretizonin rastet e krijuara.

Në minutën e 28-të, Dinamo mbeti me dhjetë futbollistë në fushë, pas ndëshkimit me karton të kuq të talentit Oresti Rifa. Megjithatë, inferioriteti numerik nuk ndikoi në vendosmërinë e skuadrës së trajnerit Daja, që vijoi të ruante organizimin dhe të kërkonte me insistim golin e avantazhit. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, 0-0.

Edhe në fraksionin e dytë, Dinamo ruajti të njëjtën qasje, duke kontrolluar topin dhe duke kërkuar hapësira në mbrojtjen kundërshtare. Në minutën e 60-të, stafi teknik kreu dy zëvendësimet e para, me Alhassan dhe Farrukun që morën vendet e Ruçit dhe Berishës.

Katër minuta më vonë, në minutën e 64-t, Tirana arriti të kalonte në avantazh, duke e vështirësuar edhe më shumë situatën për Blutë.

Pavarësisht disavantazhit në rezultat dhe faktit që luanin me një futbollist më pak, dinamovitët nuk u dorëzuan. Skuadra reagoi me karakter, rriti presionin në gjysmëfushën kundërshtare dhe u shpërblye në minutën e 78-të.

Ishte Erion Hoxhallari ai që riktheu baraspeshën, duke realizuar një gol të bukur me një goditje të fuqishme nga jashtë zonës, që përfundoi në rrjetën e Tiranës.

Goli i barazimit i dha një tjetër impuls skuadrës sonë, që vijoi të kërkonte edhe golin e fitores. Në minutën e 86-të, trajneri Daja aktivizoi Malomon dhe Nezirin në vend të Manellarit dhe Hoxhallarit, duke freskuar skuadrën për minutat e mbetura.

Dinamo pati edhe një mundësi shumë të mirë për të përmbysur rezultatin, me Farrukun që u gjend i vetëm brenda zonës kundërshtare, por nuk arriti ta finalizonte aksionin. Në minutën e fundit, Ruben Silva-Richards mori vendin e Klevi Qefalisë.Pavarësisht përpjekjeve deri në vërshëllimën përfundimtare, rezultati mbeti i pandryshuar, 1-1.

Një barazim që erdhi pas një ndeshjeje ku Dinamo tregoi personalitet, organizim dhe vendosmëri, duke zhvilluar një paraqitje pozitive edhe pse luajti për rreth 70 minuta në inferioritet numerik.

Dinamo e nisi ndeshjen me këtë formacion: Teqja, Dita, Aliji, Hoxhallari, Vila, Manellari, Ruçi, Qefalija, Lorran, Rifa dhe Berisha.U aktivizuan: Alhassan, Farruku, Malomo, Neziri dhe Ruben Silva-Richards.

Blutë e trajnerit Ilir Daja do të rikthehen në fushën e lojës të hënën, më 2 nëntor, në transfertën ndaj Vorës. Takimi, i vlefshëm për javën e 10-të të Abissnet Superiore, do të zhvillohet në stadiumin e Vorës, duke nisur nga ora 13:30.

Related Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *