December 11, 2024

Trajneri Mehmeti flet para derbit

Para derbit me Tiranën, që luhet ditën e diel, në stadiumin “Air Albania”, ora 17:00, trajneri i Dinamo City, Dritan Mehmeti, ka theksuar:

“Nuk ka ndonjë ndryshim të madh, nëse luajtëm apo jo me Teutën. Ishim në një ritëm të mirë dhe kemi pasur një ndalesë në mikrociklin javor. Janë faktorë që nuk ndikojnë te ndeshja me Tiranën.

Për të përgatitur një derbi, bonusi emocinoal është në maksimumin e vet. Ka motivimin e brendshëm për lojtarët. Në aspektin tekniko-taktik jemi përqendruar më shumë. Derbi është i paparashikueshëm, ndeshja mund të japë një përgjigje të saktë si e kemi përgatitur.

Mungojnë Gudiabi për dëmtim, po ashtu edhe Patrik Bardhi, që do të mungojë për 10 ditë. Këto janë problemet e vetme që kemi.

Nuk ka diferenca pikësh dhe skuadrat kanë pasur ndryshime të shumta në tabelë. Tani nuk ka më kohë rikuperimi dhe duhet të jemi të përqendruar te loja.

Dinamo ka kaluar tranzicione herë pas herë. Vijmë nga kategoria e parë në Superiore dhe ndërrimet e stafeve ndikojnë në oshilacionet gjatë sezonit. Ndoshta lojtarët kanë pasur përgjegjësi më të madhe se sa duhet për të dhënë më të mirën. Dinamo është rritur goxha sa i takon mentalitetit fitues, skuadra ka fituar besimin për vlerat që posedon.

Problematikat e Tiranës? Nuk ndikojnë. Ndonjëherë skuadra me më shumë probleme ka dalë fitimtare, lojtarët nxjerrin nga vetaja më të mirën në derbi. Një skuadër, kur kalon një periudhë të keqe, jep më të mirën në derbi për ta kaluar.

Ne kemi një objektiv si staf dhe klub, të kemi stabilitet dhe të kemi një skuadër kompetitive për të ardhmen. Duhet të jemi të përqendruar te ndeshja e radhës, nuk duhet ta shohim si finale për të qenë më të qetë. Po menduam më gjatë, do të shpërqendrohemi.

“Air Albania” është teatri e futbollit dhr është kënaqësi për të gjithë të luajnë në të tilla stadiume. Ndihesh vërtet komod dhe e shijon. Mendoj do të jetë diçka shumë e mirë për ne, që luajmë ndeshjen e parë këtë sezon në këtë stadium. Shpresoj të marrim atë që do të japim në fushë”.

Related Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *