Javën e parafundit të kampionatit të rregullt Dinamo City ndeshet me Egnatian në stadiumin e Elbasanit. Ndeshja luhet të mërkurën, në orën 16:00. Për këtë sfidë, ka folur trajneri Dritan Mehmeti, i cili mes të tjerash ka theksuar:
“Egnatia është me meritë në krye dhe e kemi vlerësuar maksimalisht. Do jetë ndeshje e vështirë për të dyja skuadrat, sepse edhe ata, pavarësisht se janë të sigurt në ‘Final 4’, kanë pretendime për ta mbyllur të parët. Skuadra është stërvitur mirë, por kemi shqetësime me dy lojtarë.
Tahiri vazhdon të ketë probleme me kaviljen, po ashtu mungon edhe Smaçi. Mendoj se do të jetë ndeshje e luftuar me Egnatian. Pavarësisht rezultateve të javëve të fundit, Dinamo ka prodhuar lojë. Duhet të jemi më të kujdesshëm për të shfrytëzuar ato mundësi që na jepen për të shkuar te fitorja.
E shkelim shumë zonën e kuqe, atë të 16-shes së kundërshtarit. Me Vllazninë kemi pasur 6 raste mjaft të mira për të realizuar, por është qetësia dhe mënyra si lojtarët ndihen në atë moment për ta çuar topin në rrjetë. Edhe në rastin e shtyllave, duhet të dish si ta interpretosh goditjen për të realizuar golin.
Të gjitha skuadrat janë nën presion, sepse kështu është kampionati. Të gjitha skuadrat duan pikë për objektivat e tyre. Më vjen keq, sepse kemi prodhuar lojë e raste, kemi dominuar edhe skuadra si Vllaznia, por edhe Egnatia, por nuk kemi arritur të marrim pikë.
Çunat janë më të qetë, sepse ky është futbolli. E vetmja gjë që na mbetet është që të shfrytëzojmë rastet. Lodhja nuk është ndjerë, përderisa kemi pasur raste. Në minutën e 80-të kemi bërë shtyllën e dytë dhe nuk është lodhja arsyeja që nuk po arrijmë të fitojmë.
Kur futesh nga stoli, duhet të bësh diferencën, pra të luash më mirë nga lojtari që zëvendëson. Nuk është problem freskimi, skuadra është në gjendje shumë të mirë fizike.
Nuk mund ta parashikojmë ku do të jemi në fund. Jemi në ekuilibër dhe nuk duhet të ndjejmë presion. Futbollin nuk mund ta parashikosh, pasi mund të fitosh një ndeshje kur nuk luan mirë dhe humb kur luan mirë, se ne me Vllazninë.
Rivalët? Të gjitha ndeshjet kanë rëndësinë e vet. Të gjithë luftojnë, sepse kanë objektivat e vet, për titullin apo për 4-shen. Është e hapur gjithçka, kush do të menaxhojë më mirë situatën, do të fitojë. Të gjithë kanë kalendar të vështirë”.